U Hallakatë DMEXCO 2019

Hallakate

September 20, 2019

hallakate - dmexco 2019

Ne si Hallakate punojmë në njërën prej industrive më dinamike në botë. Industri e cila varet nga shprehitë e përdoruesve që janë gjithnjë e më shumë të papareshikueshme dhe rrjedhimisht sjellin gjithnjë e më shumë rezultate të ndryshme. 

Meqenëse, punojmë me shumë kompani të industrive të ndryshme, gjithmonë dëshirojmë të jemi up to date me më të rejat dhe trendet e fundit të marketingut dixhital. Për këtë arsye kemi vendosur që këtë vit, i gjithë ekipi të shkojë në Panairin dhe Konferencën Ndërkombëtare për Marketing Dixhital, DMEXCO 2019 në Këln, Gjermani. 

Për të kuptuar më shumë rreth asaj se si kaluam, çka kemi pa dhe mësuar, lexoni më poshtë përshtypjet e secilit prej ne:

“Te kesh mundësi të marrësh pjesë në DMEXCO si pjesë e ekipit Hallakate, ishte një përvojë tejet frymëzuese. Morëm pjesë në seanca interesante me folës si Jeff Miller, Udhëheqës i Strategjisë Globale Kreative në Snapchat dhe Ashley Yuki, Udhëheqëse e Menaxhimit të Produkteve Search & Explore, Reklama IGTV dhe Media për Instagram.

Përpos kësaj, morëm pjesë edhe në diskutime të mbajtura nga ekzekutivë të ndryshëm të Facebook-ut dhe Instagram-it në këndin e Partnerëve Menaxhues të Facebook-ut. Njëkohësisht, patëm mundësinë të mësojmë më shumë rreth Agile Digital Marketing Management në worklab-at e udhëhequra nga Canto GMBH ku identifikuam mënyra efektive se si t’i përdorim mjetet e ndryshme për menaxhimin e detyrave tona të përditshme.

Mundësia për t’u njoftuar me kompani dhe agjenci të tjera që ndajnë të njejtin pasion si ne për marketing-un dixhital, vetëm se i dha kuptim më shumë asaj se pse e bëjmë atë që e bëjmë dhe pse kemi pasion të madh në punën që e bëjmë. ” Dina

“Ishte interesante dhe e papritur. E dinim se me kë do të takoheshim dhe diskutonim. Ishte sikur të gjendesh brenda librit Më e Bukura e Botëve. Përveq që isha mahnitur nga zhvillimi teknologjisë, u befasova nga rëndësia e jashtëzakonshme që i ishte dhënë vizualizimit dhe prezantimit të biznesve/markave të tyre. 

Ishte e jashtëzakonshme. Detajet, produktet, si dhe përvoja që iu jepke vizitorëve ishte e mrekullueshme. Llojllojshmëria gjeografike në DMEXCO krijoi një energji kaotike por njëkohësisht të harmonizuar ku tingujt, ngjyrat, format dhe origjinaliteti që pushtuan Këlnmese ishin unike. DMEXCO më bëri të kuptoj dhe pranoj faktin që arti dhe teknologjia janë bërë edhe më të afërt nga sa mund të mendojë dikush. Me këtë dua të them që arti mund të krijohet përmes AI – fakt, që ende duhet të ballafaqohem e pajtohem. Nga ana tjetër, ishte interesante të shihej sesi përdorimi i grafikave të ndryshme, – materialeve promovuese i poziciononte dhe rriste namin e bizneseve/markave – drejtuesve të ekonomisë dixhitale për të krijuar forma e prirje të reja, duke përfshirë edhe sjelljet shoqërore. Në momentin që vizualizimi të lente pa fjalë, ishte shumë më e lehtë të lundroje në ato salla gjigante të DMEXCO.

Për fund, ishte një përvojë e shkëlqyeshme. Do të kisha pas dëshirë që të ishte pak më e gjatë, në mënyrë të bëhesh një me më të rejat, për të analizuar detajisht eksperimentet që janë bërë me dizajn dhe për të takuar edhe më shumë njerëz dhe talent të kësaj fushe. Këto dy ditë ishin të mbushura me frymëzim dhe dijeni, krijim të kontakteve dhe duke kuptuar se sa është e rëndësishme t’i shtyesh idetë përpara në mënyrë që të arrish të krijosh diçka bindëse dhe të jashtëzakonshme.” Nita

“Panairi dhe Konferenca për Marketing Dixhital 2019, ishte një përvojë e jashtëzakonshme për mua dhe ekipin e Hallakatës. Të kesh mundësinë të ndash vendin e njejtë me kompanitë më të mëdha të marketingut dixhital dhe të njoftohesh nga afër me historinë e tyre dhe rrugën drejt suksesit, ishte e hatashme. Duke qenë në një mjedis të tillë profesional ndonjëherë ndjehesh i vogël, mirëpo në të njejtën kohë i fuqishëm dhe i gatshëm për t’i shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të arritur ëndrrat dhe qëllimet e kompanisë që përfaqëson.

Ajo çka kisha dashtë të veçoj është seanca e diskutimit më Udhëheqësën e Menaxhimit të Produkteve në Instagram, Ashley Yuki me temën ‘Instagram-i dhe Diskutimi mbi Kulturën’. Kjo seancë u fokusua në mënyrën se si kjo platformë po përcjell vlerat e saja për t’u lidhur më emocionalisht me përdoruesit e saj dhe njëkohësisht për t’i edukuar ata në ndërtimin e identitetit dhe kulturës përmes rrjeteve sociale. Gjithashtu, theks të veçantë i dha mënyrës së shprehjës së secilit prej nesh në këtë platformë për të krijuar një kulturë më gjithpërfshirëse pikërisht për temat për të cilat ne si komunitet i kemi shumë më rëndësi si psh. cyber bullying.

Ndër tjerash, ishte një përvojë që t’i hap sytë sepse mësuam shumë rreth trendeve të fundit dhe ato që po vijnë sa i përket industrisë së marketingut dixhital, media dhe komunikimit. Përmbajtja kreative si video, storytelling apo lidhja në mes teknologjisë dhe kreativitetit për të arritur një lidhje më të fortë personale dhe emocionale me përdoruesit, ishin një ndër temat kryesore të diskutimit në DMEXCO 2019. E krejt kjo, në qytetin e bukur të Këlnit!” Rrita

“Nëse e google-iratë DMEXCO, të del përshkrimi se ky është vend takimi më i rëndësishëm për ekonominë dixhitale globale, ku me qindra e qindra liderë të kësaj industrie, influencera, menaxherë marketingu etj., tregojnë eksperiencat e tyre brenda dy ditëve. Një ndër eventet më madhështore të industrisë dixhitale, duke përfshi sesionet, konferencat, puntoritë, folësit e bile bile edhe eventet super cool e birrat falas qe t’i jepshin në fund të ditës. 🙂

Një ndër fjalët që e kom ndëgju më së shumti gjatë këtyre dy ditëve ishte: TRUST (Besimi)! Krejt kjo duke u nisë prej asaj që ka humb besimi tek reklamuesit online. Kemi ndëgju shumë fjalime të ndryshme që vendosnin në fokus gjithmonë besimin e klientëve për produktin tuaj por edhe per menaxhimin, planifikimin e efektivitetin e marketingut e deri tek atribuimi i tij. Krejt kjo duke tregu e nda me ne nga eksperienca dhe taktika që ekspertët e kësaj fushe i përdorin në kompanitë ku punojnë.

2 ditë, 550 folës, 18 skena, 7 punëtorë të Hallakates! 

Qysh me ja bo?

Veç planifikimi mes nesh se kush, ku edhe çka me ndjekë ishte dërrmues e mos të flasim për distancën mes skenave (fakt interesant: kom thy rekord me 20k hapa në ditë ku mesatarën e kom 5k në ditë të zakonshme). Lodhje e madhe, veç edhe shumë e lezetshme sa që në fund të ditës harrojshe sa shumë ke ecë, po e mbajshe në mend se sa shumë ke përfitu prej sesioneve që i ke ndëgju.

Një prej seminareve që më ka pëlqy më së shumti ka qenë ‘Unlocking Intent on Facebook’ me Joao Beirao (jo futbollisti) dhe Kaspar Klippgen prej Facebook. Mësova shumë sende të reja për Custom Audiences, Segmentimin e Lookalike Audiencave, Facebook Pixel, Incremental Conversions, Facebook Biding, etj., që krejt këto menzi po pres me fillu me i praktiku me klientat e Hallakates.

Për mos me zgjatë më shumë po ju lë me dy thënie që më kanë mbetë në kokë prej atyre dy ditëve në Këln:

‘Relevanca mbi personalizimin.’

‘Shumica e njerezëve e injorojnë reklamimin, sepse reklamimi i injoron shumicën e njerëzve.’ ” Diora

“Me vizitu DMEXCO njerën nga konferencat e marketingut dixhital më të mëdha në botë në një qytet me traditë si Këln-i, me të vërtetë ka qenë përvojë e mirë. Është hera e dytë që marr pjesë në një konferencë të transformimit dixhital, mirëpo kjo e fundit më ka bërë të mendoj që çdo konferencë duhet me u ndjekë.

Bisedat, ndarja e njohurive me njerëz të të njejtës industri dhe të lojtarëve të mëdhenjë si Facebook e Instagram të tregon frekuencën në të cilën je dhe në të njejtën kohë të jep vetëbesim duke e ditë që je afër asaj frekuence, për të mos thënë në të njejtën. Me ndëgju Ashley Yuki duke tregu të rejat e Instagram-it, ka qenë përvojë e veçantë. Kurse puntoritë e Facebook-ut më kanë hapur trurin për mënyrën e punës dhe menaxhimit të kampanjave. Ishte kënaqësi. Faleminderit!” Bind

“Mundësia me u taku me kompanitë më të mëdha të marketingut dixhital në botë, me zgjidh probleme me të cilat ballafaqohen kompanitë në tregun e Kosovës së bashku, ishte një eksperiencë e pabesueshme. Patëm mundësi të ndjekim shumë diskutime dhe punëtori me liderët e industrisë lidhur me gjendjën aktuale dhe të ardhmën e reklamimit në kanalet e marketingut dixhital.

DMEXCO-në e kemi shfrytëzu edhe për të lobuar për Kosovën, ku vendosëm kontaktet e para me Snapchat dhe TikTok (në platformën e tyre për reklamim e cila lansohet së shpejti) për vendosjën e Kosovës në listën e shteteve dhe gjithashtu mundësinë e reklamimit shqip në Google.
Përfundimi: Jemi shumë afër trendeve të fundit në botën e marketingut dixhital! 🙂 ” Ben

Shihemi vitin tjetër!

Shpërndaje në