Me mbi 1 miliardë përdorues aktiv në botë dhe 800 mijë përdorues aktiv në Kosovë, platforma sociale Instagram u shndërrua në platformën më të dashur për story interesante dhe të lezetshme, me efekte dhe filtera nga më të ndryshmet.
Filterat në Instagram janë efekte, detaje dhe vizualizime të krijuara përmes teknologjisë AR-Augmented Reality apo Realitetit të Zmadhuar.
AR është në fakt teknologji relativisht e vjetër që ekziston që nga vitet e 60-ta mirëpo viteve të fundit mori hov të madh sidomos me Google Maps dhe Pokemon GO. Tanimë, platforma sociale Facebook, ka ofruar mundësi për të gjithë ata që dëshirojnë të krijojnë filtera dhe efekte të ndryshme përmes Spark AR Studio. Qysh kemi qenë gjithmonë në hap me trendet, edhe ne krijuam disa filtera interesant.
Kolegu jonë më i ri, Gjini, në fillim, e realizoi një filter test me flamurin e Kosovës. Pa e shpërndarë asnjëherë, ky filter arriti 7,200 impressions. ?
Kur filluam të mendojmë se çfarë filteri më të veçantë të krijojmë, ekipi jonë erdhi me idenë për të realizuar diçka që e karakterizon traditën, kulturën dhe historinë kosovare. Përmes aplikacionit Spark AR nga sektori Face Paint i platformës sociale Facebook, krijuam filterin e frymëzuar nga tradita e vjetër e nuseve të pjesës së Zhupës në Prizren. Kjo është një ndër traditat më të vjetra të kulturës kosovare që paraqet vizatimin e fytyrave të nuseve para ceremonisë së martesës.
Vizatimi dhe ngjyrosja e fytyrës nuk është e rastësishme sepse secili detaj e ka një simbolikë. Ngjyrat që përdoren, simbolizojnë 3 ciklet e ndryshme të jetës së një gruaje. Dielli i pikturuar në fytyrën e nusës shërben si simbol i lumturisë. Rrethi ngjyrë kuqe paraqet pjellshmërinë kurse pikat e kuqe dhe të kaltërta paraqesin mbrojtje nga çdo gjë e keqe.
Përdore edhe ti këtë filter, bonu Nuse Dixhitale ?