Podcast-i 3GO po vazhdon. Qe çka u tha në episodin e dytë!

Rreze Hoxha

October 20, 2021

E2 of 3Go Podcast

Podcast-i 3GO po vazhdon me sjellë mysafirë interesant me storje t’vlefshme.

Nëse nuk t’ka ra me pa episodin e parë, prek k’tu!

Edhe këtë herë nuk kemi shku shumë larg prej Hallakates. Me fjalë të Valonit, po sillemi nëpër kojshillak deri sa t’ja marim dorën.

Nëse don me ditë çka thanë Valoni e Uraniku në këtë episod të podcast-it, qe ni përmbledhje:

Episodi 2

Në episodin e dytë të 3GO-së mirëpritëm Uranik Begun, Drejtorin Ekzekutiv të Qendrës për inovacion në Kosovë (ICK). Ai rrëfeu detaje për jetën e tij private. Tregoi se qysh ia ka nisë me udhëheqë ICK-në. Foli për gjendjen e ICK-së sot, t’arritunat edhe të ardhmen e këtij institucioni. E n’fund, i dha do këshilla për ndërmarrësit e ri edhe ata që kanë përfitu prej ICK-së.

Ni sen i njohun për ata që e kanë dëgju episodin e parë janë pytjet:

1. Kush është i ftuari?

Si fillim, Uraniku na livdoj tu e shmangë atë që ai tha se është ma e vshtira, me folë për veten. Well played Uranik, well played…

Thanë shkurt, ai tha që është landa e parë e prishtinalisë. Si një prototip prishtinalie, filloren e ka kry në shkollën “Ismail Qemali” e të mesmen në “Sami Frashëri”, në Prishtinë. N’vitin 1994 jeta e tij mori ni kthesë të rëndësishme. Ai u bë pjesë i ni programi 1 vjetor (exchange) edhe vitin e fundit të shkollës së mesme e kryjti në Amerikë. Këtë mundësi e sheh si ni fat të mirë për ni të ri jo shumë të ekspozuar ndaj botës. Sidomos në vitet 90-ta, si kohë kritike për shoqërinë tonë.

Gjenerata e tij, thotë Uraniku, s’ka shku në shtete të jashtme veç për veti po edhe për shtet. Ata e kanë ndje veten si përfaqësues të shqiptarëve atje.

Edhe studimet i ka mbaru në Amerikë, pastaj ka punu si kamarier atje për nja 6-7 vjet. Ma e veçanta e këtij tregimi është se grupi shoqëror i tij që punuan si kamarierë atje, sot janë ndër ndërmarrësit ma të suksesshëm në Prishtinë. Disa prej tyne janë Genci (Gentli), Batoni e Edi (Soma). Ky fakt e lumturon Uranikun kur i sheh bizneset e tyne nëpër Prishtinë.

Kemi mujtë hala me qenë kamarierë në Amerikë! Kaniher i nënvlerësojmë mundësitë edhe lirinë që na ka sjellë Kosova. Gjenerata t’tana të këtij populli kanë dhanë që na sot m’i shiju mundësitë me kriju, tha ai.

I kaloi rreth 10 vjet në Amerikë dhe u kthy me rastin e burgimit të nanës. Nana e Uranikut, Flora Brovina u dënu me 12 vjet burgim për terrorizëm. Mbas luftës në Kosovë, ajo u dërgu në Serbi për me e mbajtë burgun. Ndërsa Uraniku, u kthy në Kosovë me ndejtë me babën e tij.

Ndërkohë vazhdoi shkollimin edhe ja nisi me dhanë kontribut, fillimisht si ligjërues në shkollat e para private në Kosovë. N’American School of Kosova, si ligjërues i landës për biznes dhe marketing në vitin 2004-5. Ma vonë edhe në universitetet e kolegjet private.

MAS ASEJNA, 4 vjet shërbeu si Drejtor marketingu i Postës dhe telekomit të Kosovës. Dhe së fundi, 9 vjet në ICK, të cilat ai i quan pjesën ma të rëndësishme të karrierës.

2. Qysh e ka nisë udhëtimin?

N’retrospektivë Uraniku e sheh ICK-në si projekt i rastësishëm. Në atë kohë e ka pa vetëm si mundësi me ikë prej një posti të padëshiruar në Postën dhe telekomin e Kosovës. Kjo për shkak se ai e quan atë kohë si kohë degradimi e menaxhmentit edhe biznes modelit të Postës.

ICK-ja ka qenë iniciativë e Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), nën mbështetjen e Ministrisë së punëve të jashtme. Kontrata fillestare që iu është ofru atij në ICK ka vlejtë për 1 vjet e gjysmë. Kjo ka prezentu dilemën e një burri të ri familjar mes një pune të sigurtë me një rroge të lakmueshme dhe një projekti që mundet me përfundu.

Përkundër kësaj, atë e ka tërhekë prej momentit të parë puna me ICK për shkak të misionit të kësaj qendre. Meqenëse ai është magjistër i menaxhmentit dhe marketingut, ICK-në e ka pa si një mundësi të mirë me e gërshetu rrjetin edhe dijen për me shtu vlerë në komunitetin e biznesit. Sidomos në bizneset e reja, “start-up”.

Pozita të cilën e ka marë ka qenë mjaft konkuruese. 2-300 vetë kishin apliku për të. Sipas Uranikut, procesi i përzgjedhjes ka qenë fer sepse s’e ka njoftë kërkon n’bord. Bordi ka pasë njerëz prej ambasadës, donatorëve edhe STIKK-ut.

Dita e parë e tij në punë është shumë interesant.

ICK-ja ka qenë një objekt krejt ndryshe prej këtij që është sot. Ka qenë një objekt me pllaka, dyer, tavolina e karrika, krejt të bardha. Si barnatore. Seni i parë që i ka shku n’mendje është objekti i madh jo-premtues edhe bosh i ICK-së.

Qysh me iu premtu bizneseve zhvillim në ato kushte?

Fatmirësisht, e ka pasë një ekip të mirë me vullnet edhe pasion. Meniher kanë nisë me punu me njohjet e tyne që kanë pasë në kompani të mëdha si Microsoft, Amazon e Google. Në vitet e hershme të ICK-së është lobu shumë në diplomacinë dixhitale.

3. Qysh e sheh situatën sot?

ICK-ja është ku është sot për shkak të kontributit që kanë dhanë edhe vazhdojnë me dhanë shumë njerëz. Profesionistë, ndërmarrës, student e vullnetarë. Ndërsa prej ICK-së janë përkrahë dikun 450 biznese.

Mënyra qysh bizneset pranohen në ICK janë përmes thirrjeve të hapura ose garave. Një prej garave është edhe “Start-up Weekend”. Herën e parë që u organizu, në 2011, ka apliku edhe vetë Valoni me Hallakate. Po jo me Hallakate-n që është sot! Ideja ka qenë një makine kërkimi në shqip, prej ku edhe vjen emri Hallakte, pra me hallakatë.

Edhe në ditët e sotme, perspektiva edhe problemet në ekosistemin ku operojnë ICK-ja edhe Hallakate vazhdojnë me qene t’njejtat. Si në aspektin e edukimit, qasjes në financa a ligjeve.

E mira është interesimi edhe guximi ma i madh i t’rinjëve në fushën e ndërmarrësisë. Ata ndikohen ma pak nga rrethi edhe kritikat jokonstruktive. Ky individualizëm i gjeneratave të reja është shpresë-dhanës, gjithmonë kur është i hapur për kritika. Edhe interesimi nga diaspora është rritë dukshëm!

ICK-ja sot ofron një sërë shërbimesh e produktesh që s’i ka pasë përpara. Mirëpo, edhe 10 vjet mbas, problematika e vetme i mbetet vetë-qëndrueshmëria. Ani pse e ka dëshmu veten si institucion i nevojshëm n’vend, prap ka zero mbështetje nga qeveria. Ky institucion hala mbështetet prej donatorëve.

T’kishim tregu edhe çka mendon Uraniku për premtimet e fushatës së fundit zgjedhore për Prishtinë, po ma mirë kqyre podcast-in!👇

A t’ka shku menja me apliku në ICK për idenë tande t’biznesit?

Nëse po, Uraniku e ka këtë këshillë për ty:

Kosova është vend i mundësive. Jetojmë në një kohë kur informatat, trajnimet e shumëçka tjetër munden me u gjetë pothuajse pa pagesë. Këso shërbime ka me ofru edhe ICK-ja. Për këtë shkak, ai të këshillon që me i kthy ankesat në diciplinë.

E për bizneset e sukseshme që kanë dalë ose kanë kalu nëpër ICK, e ka një thirrje tjetër. Mos me harru kush iu ka ndihmu edhe me iu ndihmu të tjerëve.

4. …e t’ardhmen?

Një problem që ai mendon se ka me na shoqëru edhe në të ardhmen është disbalanci mes kërkesës së bizneseve dhe ofertës për talent. Ai i këshillon të rinjtë edhe të rejat që kërkesa e tyne për ofertat e punës t’i përshtatet vlerës që ata ofrojnë në punë.

Kah ana pozitive, është duke u punu në ndryshimin e ligjit për ndërmarrësi dhe inovacion. Këtu hyjnë ligji për fondin, instrumentet edhe qasjen në financa. Ky është sen i mirë sepse ma në fund ka edhe përfshirje të shtetit aty ku kompetencat e një inkubatori mbarojnë.

Ngoje 3Go në Spotify

Shpërndaje në