Web faqe apo rrjete sociale: Cila ju leverdisë ma shumë?

Rreze Hoxha

August 6, 2021

Web faqe a rrjete sociale, cila është ma e mirë për biznesin tënd?

Një prej debateve të vazhdueshme brenda ni ekipi të marketingut është se ku duhet të përqendrohet kompania, në web faqe a rrjete sociale?

Mandej, si palloma t’lagta, dalin edhe pytje tjera: Cila prej këtyne dyjave gjeneron ma shumë konsumatorë potencial? Cili nga këto dy kanale kthen ma shumë investim? Ose, cila nga këto dy mënyra e rritë kompaninë ma shpejtë?

Për me iu përgjigjë këtyne edhe shumë pytjeve tjera, po i analizojmë këto dy kanale edhe po e nxjerrim ni përfundim se cilën prej tyne është ma mirë me e përdorë.

Çka janë rrjetet sociale?

Hallakate social media

Njekna në Facebook, Instagram, LinkedIn, Twitter, TikTok edhe Snapchat!

Rrjetet apo mediat sociale janë thuja se pjesë e domosdoshme e përditshmërisë tonë. Këto platforma përdoren prej nesh me komuniku ose me bashëvepru me njani-tjetrin në internet. Popullariteti i tyne është rritë përgjatë dekadës së kalume, jo vetëm për njerëzit e thjeshtë, po edhe për bizneset.

Hajde ta kuptojmë ma mirë çka janë në bazë të fjalës që i përshkrunë ato! Meqenëse në botë njihen sikur “social media”, ta zbërthejmë këtë togfjalësh:

“Social” – nga latinishtja “socius”, që do të thotë “mik”. Pra, të qenit social, do të thotë të qenit shoqëror.

“Media” – vjen prap nga latinishtja “medius” që do me thanë mes. Pra, media është mjet për ndërmjetësim të komunikimit. Në ditët e sotme, dihet se media përdoret edhe ruajtjen dhe shpërndarjen e informacionit ose të dhënave.

Nëse nisemi nga definicioni, nxjerrim këtë përkufizim “Rrjetet sociale janë aplikacione apo platforma ku njerezit apo grupe njerëzish (biznese) tregohen shoqëror me audiencën e tyne.”.

Kjo është edhe mënyra ma e mirë m’i përdorë rrjetet sociale. Shumë kompani bojnë gabimin e postimit të përmbajtjeve të shumta e të gjata, po jo-shoqërore në media sociale.

Qysh me ditë une a po tregohna “social” në media të mia sociale? – Thu tash ti.

Që përmbajtja jote me qenë shoqërore, ajo duhet me i plotësu këto 3 kritere:

1. Me shkaktu bashkëveprim (komunikim të dyanshëm) ose ndërveprim (ti poston, audienca reagon),
2. Me synu lidhjen ose krijimin e marrëdhënieve mes njerezve,
3. Me ofru vlera për të gjitha palët që marrin pjesë në këtë shkëmbimin social.

Nëse jau bon “tick”(✔️) të triave këtyne kritereve, atëherë je tu i përdorë rrjetet sociale bash për çka janë të krijume.

Po, gzimi me idhnim e ka! Pra, si gjithçka n’jetë, edhe këto dy mënyra të komunikimit online, si web faqja edhe rrjetet sociale, i kanë përparësitë edhe mangësitë e veta.

Përparësitë e rrjeteve sociale

Belesh

Përparësia kryesore e rrjeteve sociale është se këto platforma janë zakonisht pa pare. E kundërta është me website ku ka shpenzime të krijimit edhe mirëmbajtjes. Në rrjete sociale mundesh me shpërnda përmbajtje pa e shti dorën në gjep!

Hazër

Rrjetet sociale janë platforma veçse të ndërtume për krejt, çka të mbetet ty është me postu përmbajtjen qe ki qef. Për strukturën edhe përmirësimet në platformë kujdesen vet krijuesit e platformës.

Mangësitë e rrjeteve sociale

Është paradoksale qysh mangësitë e rrjeteve sociale vijnë si pasojë e përparësive të tyne. Kshtu që mos u ngut me mendu që i kom shkru senet e njejta dy herë pahiri. Jo joooo…

Këto janë mangësitë e rrjeteve sociale:

Belesh

Përkundër faktit që mundesh me përdorë rrjete sociale falas, që përmbjtja jote me u pa duhet me u ia dhonë ni t’shtyme algoritmit. Kjo bohet përmes kampanjave dhe reklamave të cilat janë me pagesë. Bile ky çmim po shkon e po rritet me kohë.

Hazër

Mediat sociale janë faqe standarde, të parapërgatituna, të modeluara, që ruajnë përmbajtje edhe lejojnë do ndryshime të vogla si personalizimi i fotove të profilit e cover-it edhe përmbajtjes veç mrenda për mrenda sajë. Ky është ni promovim veç sipërfaqësor i brendit tënd. Nuk ndihmon shumë në rritjen e vetëdijes mbi brendin, bile nëse nuk përdoret si duhet, mundet edhe me ta dëmtu imazhin ose identitetin e ndërmarrjes që drejton.

Çka është web faqja?

Hallakate website

Kqyre website-in e Hallakates!

Një web faqe është një koleksion i faqeve të ndërlidhuna ndër të njejtin emër në internet (domain), të cilat janë të hapuna për vizitorët e internetit. Web faqet mund të krijohen e mirëmbahen nga një individ, grup, biznes a organizatë për qëllime të ndryshme.

Krejt faqet e internetit bashkë e formojnë rrjetin botëror të njohun si World Wide Web apo WWW.

Web faqet vijnë me një larmi gati të pafund, tu i përfshi këtu web faqet arsimore, të lajmeve, web faqet e pornografisë (me t’nime e kena), ato për e-commerce, etj.

Përmbajtja e web faqeve është zakonisht një përzimje mes tekstit dhe mediave të tjera. Kështu që nuk ka rregulla që e diktojnë formën e një web faqeje në internet.

Web faqja e parë u krijua në vitin 1990 nga Tim Berners-Lee, një shkencëtar britanik për kompjuterë. 3 Vjet më vonë, në 1993-tën, CERN njoftoi se të gjithë mund të hynin dhe të përdorin rrjetin mbarë-botëror falas (world wide web).

Fillimisht, web faqet e internetit u kategorizuan nga fushat e tyre të veprimit:

Web faqet e agjencive qeveritare = .gov

Web faqet e institucioneve arsimore = .edu

Web faqet e organizatave jofitimprurëse = .org

Web faqe komerciale = .com

Web faqet e informacionit = .info

Edhe pse këto shtesa të domeneve ekzistojnë hala, ato thojnë pak për përmbajtjet e tashme të web faqeve në internet. Në internetin e ditëve moderne, shtesa “.com” është domeni ma i popullarizumë. Mandej vijnë shtesat që shënojnë shtete specifike, si: .it, .de, .co.uk, .fr, etj.

Ni web faqe mundet me i shërby shumë biznesit tond.  Me të ti tregon profesionalizëm, rritë besueshmëri, madje edhe shitje. Aty grumbullojen të gjitha projektet tua për marketing, përfshi edhe një punëtor virtual që punon kurr pa nalë për ty.

Web faqja duhet të jetë destinacioni i audiencës tande. Sikur ni zyre virtuale. Krejt marketingu që e bon online (reklamat, krejt përmbajtja, bile edhe videot e podcast-et) duhet me çu audiencën tande aty.

Përparësitë e web faqes

Patundshmëri virtuale

Web faqja qitet për secilin që ka nevojë me mujtë me gjetë kur e lypë. Nëse bën SEO qysh duhet, web faqja jote mundet me u rendit lart në motorat e kërkimit si Google edhe me iu dalë miliarda njerëzve.

E ndreqë për qefi

Web faqen mundesh me kriju qysh t’kish qef. Ndryshe prej mediave sociale, këtu ti mundesh me vendosë çka iu servon tjerëve. Mundesh me përfshi software brenda faqes për detyra t’ndryshme që don me t’i kry.

Mangësitë e web faqes

Prap, s’o pahiri jo… Edhe mangësitë e web faqes vijnë si pasojë e përparësive:

Patundshmëri virtuale

SEO po ndryshon vazhdimisht. Kur bën gabime, rankohesh ma ulët dhe si pasojë humb në shitje. Nëse nuk i bjen në fije qysh me e renditë faqen vetë, duhesh me punësu një profesionist. Kjo magësi e ka një të mirë! Edhe pse detyroheni me punësu dikë, ky investim ka kthim të madh të investimit.

E ndreqë për qefi

E ndreqë, e ndreqë, po qysh e ndreqë?! Munesh me i pasë krejt liritë e mundshme në web faqe, po mos me ditë me i përdorë. Nuk është lehtë me dizajnu as me optimizu një faqe vet. Në këtë rast duhesh me mësu goxha për me i ra në fije, ose njejtë si për rankim, me e punësu dikon që din.

Qysh p’ja lidhim krytë kësaj pune?

Web faqe a rrjete sociale? Cila është ma e mirë për biznesin tënd?

Përgjigja është që duhesh me i përdorë të dyjat. Kombinimi i tyne sjellë rezultatet ma të mira kur bën biznes.

Rrjetet sociale janë ni strategji e shkëlqyeshme për gjenerim të leads. Po kur ki web faqe, ki ku me i drejtu këta leads. Përveç kësaj, ki kontrollë mbi brendin tënd edhe ndjenjën që ia jep ai audiencës.

Rrjetet sociale mendoj si me dalë e me taku klientë të mundshëm. Web faqen mendoje si evente ku klientët e mundshëm vijnë te ti. Sikur ni zyre a panair ku ata informohen rreth produkteve a shërbimeve tua, ose bëjnë blerje.

Nëse i përdorë të dyjat qysh duhet, me rrjete sociale ki me i tërhekë audiencën e me web faqe ki me i shndërru në konsumator apo blerës.

Shpërndaje në