Çka tha Valoni për inteligjencën artificiale në RTK?

Kaltrina Jashari

August 21, 2023

Valon-Canhasi-RTK

Në emisionin e Kaltrina Ajetit në RTK, Valon Canhasi foli për inteligjencën artificiale dhe ndikimin e saj.

Për me shkru këtë blog, transkriptimin e videos së emisionit e kemi bo pikërisht me ndihmën e inteligjencës artificiale, me platformën “Shqip.ai”. Transkriptimi morri kohë hiç ma shumë se 3 minuta.

Nëse don me ditë ma shumë për këtë platformë, të ftojmë me dëgju tregimin e Betim Drenica, themeluesit të kompanisë që e bëri platformën e parë për transkriptimin e gjuhës shqipe.

Po njëherë të mbesim te tema që e nisëm.

Çka është inteligjenca artificiale?

I madh e i vogël kemi dëgju për ChatGPT. Dikush ka shku përtej kësaj, e ka përdorë për qëllime të ndryshme, dikush edhe ka arrit me fitu prej saj e dikush ka hezitu me përdorë. ChatGPT është vetëm një pikë uji në oqeanin e quajtur inteligjencë artificiale.

Valoni e thotë shkurt e shqip se çka nënkuptohet me termin inteligjencë artificiale.

“Inteligjenca artificiale, me e thënë kështu shkurt, që me kuptu audienca e gjerë, është gjuha e kompjuterit. Pra, me çka kompjuteri e zëvendëson inteligjencën humane edhe merr vendime me kry aktivitete të caktume apo taska të caktum, cilat ti i bën. Pra, është gjuha e kompjuterit. Përndryshe, është një proces i programimit, ku programerët përdorin gjuhë të caktume, të cilat edukojnë kompjuterin për me mendu sikurse njeriu”, tha Valoni.

Sa ma shumë që e ushqen me informata, qaq ma i mirë del rezultati.

Për çfarë info e pate fjalën? Qe, tash e sqarojmë. Po supozojmë që ki me shkru një blog për një x teme.  Tash duhet me i jep sa më shumë të dhëna që ki në dispozicion: kush është kompania që po shkrun për to, kon e ka target audiencë, cili është stili i komunikimit, ndonjë shembull të teksteve të kalume e tek masnej i tregon se çka me shkru.


A ka me të zëvendësu inteligjenca artificiale?

Pranoje që edhe ti e ke mendu se a ka me të zëvendësu inteligjenca artificiale në punën që ti e bën. Krejt e kemi menu kah dy, tri herë ;P

Valoni tha që nuk ka sferë që nuk e ka prek inteligjenca artificiale.

“Industria e marketingut dhe reklamimit është prekë e para, për shkak se sot ChatGPT-ja të asiston me shkrujt një artikull për PR, apo një reklamë për Facebook, apo Instagram, ose diçka të ngjashme, edhe në fusha të ndryshme të cilat ka qasje, të cilat munden me i bo maqinat”, argumentoi Valoni.

Kur jemi te puna e punës, një këshillë e Valonit prej shpisë: Nëse je copywriter, contentwriter, social media manager, dizajner, patjetër që duhesh me i shtu në portfolion/cv-në tënde shkatthësitë e përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale.

I pyetur se a ka me fitu vendin e punës ata që kanë shkathtësi apo dije, Valoni tha se kombinimi i njohurive të përgjithshme në kohën e duhur, në vendin e duhur, në formatin e duhur ka me bo dikë të aftë.

Teknologjia po zhvillohet dita e ditës, bashkë me të duhet me u zhvillu edhe na.

Për intervistën e plotë, shikone videon poshtë!

Shpërndaje në