Përdoruesit online në Kosovë sipas gjeneratave

Hallakate

March 20, 2020

Sipas të dhënave që i kemi analizuar në platformat sociale Facebook dhe Instagram, kemi ndarë përdoruesit online në Kosovë sipas 4 gjeneratave të ndryshme. 

Po ti shikojmë të dhënat, e kuptojmë se gjenerata më aktive në Kosovë është GEN Z me numrin më të lartë të përdoruesve online. Kjo gjeneratë cilësohet me karakteristikat dhe shprehitë e konsumimit që janë gjithnjë të orientuara kah gjetja e së vërtetës, origjinalitetit dhe lirisë së të shprehurit. Nëse e shikojmë këtë gjeneratë në aspektin komercial, atëherë vlen të theksohet se qasja ndaj këtij grupi të shoqërisë duhet të bazohet në 3 elemente kryesore të perceptimit të brendeve: perceptimi i konsumimit si mundësi e jo si posedim, perceptimi i konsumimit si shprehje e identitetit individual dhe perceptimi i konsumimit si çështje etike. 

Përderisa GEN Z është më e fokusuar në teknologji, dixhitalizim, komunikim dhe origjinalitet, Millennials në anën tjetër janë të orientuar kah globalizimi, përvojat dhe udhëtimet. Nëse e analizojmë GEN X e shohim ndikimin e madh të tranzicioneve politike të ndryshme, karakteristikave individualiste dhe materialiste. Ndërkaq, gjenerata Boomers në anën tjetër cilësohet me karakteristika si idealizmi, revolucioni e kolektivizmi. 

Gjenerata që i përfshinë krejt ata që kanë lindur nga viti 1995 deri në vitin 2010 ndryshe njihet si “Gjenerata Z”. Në Kosovë, përdorues aktiv që i përkasin kësaj gjenerate janë 340 mijë në rrjetin social Facebook dhe 310 mijë në rrjetin social Instagram.

Gjenerata që i përfshinë krejt ata që kanë lindur në mes të viteve 1981 dhe 1994, ndryshe njihet si Gjenerata “Millennials”. Përdoruesit aktiv që i takojnë kësaj gjenerate në Kosovë, janë gjithsej 360 mijë në platformën Facebook dhe 280 mijë në platformën Instagram.

“Gjenerata X” është ajo gjeneratë që i përfshinë krejt ata që kanë lindur në mes të vitit 1965 dhe vitit 1980. Të dhënat tregojnë se në Kosovë janë 190 mijë përdorues aktiv në Facebook dhe 97 mijë në Instagram që i përkasin kësaj gjenerate.

Krejt në fund, “Boomers”, janë gjenerata që i përfshinë të gjithë ata që kanë lindur në mes viteve 1946 dhe 1964. Në Kosovë, përdorues aktiv që i përkasin kësaj gjenerate janë 70 mijë në rrjetin social Facebook dhe 20 mijë në rrjetin social Instagram.

E ti, cila gjeneratë je? ?

Shpërndaje në