Qysh po na duket puna prej shtëpisë?

Hallakate

April 13, 2020

Si rezultat i virusit Covid-19 dhe situatës së krijuar në vend, edhe ne e vazhduam punën prej shtëpisë. Më poshtë gjeni përshtypjet e ekipit tonë lidhur me këtë:

Neki

Në këtë situatë të krijuar nga pandemia Covid-19, rutina jonë ditore padyshim që ka ndryshu. Në vend që të jemi në zyrë, tashmë po punojmë nga shtëpia. Procesi i punës në përgjithësi nuk është se ka pësuar ndryshime, por janë takimet tona mes ekipit dhe klientëve ato që tanimë po i mbajmë online. 

Çka ka ndryshuar tashmë, janë kërkesat e klientëve tanë dhe shprehitë e konsumatorëve në përgjithësi. Duke i marrë parasyshë kufizimet e daljeve të qytetarëve tanë, shumë nga bizneset në Kosovë veçse kanë filluar apo janë duke planifikuar të fillojnë me shitjet online, qoftë përmes website-it apo rrjeteve sociale.  Ne si Hallakate veçse kemi punuar me klientët tanë në e-commerce, apo kemi qenë duke i përgatitur për atë rrugë dhe kjo situatë dukshëm e ka përshpejtuar procesin. Pra tashmë jemi duke u përballë me sfida të reja që nuk po na lëjnë ta ndiejmë efektin e pandemisë gjatë një dite pune, sepse angazhimi ka mbetë i njejtë. 

Sa i përket aspektit personal, puna prej shtëpisë nuk është se më është përshtatur më së miri, sepse nuk jam një tip që mund të rri i mbyllur gjithmonë, e poashtu atmosfera e zyrës tonë bashkë me stafin është ajo që po më mungon. Kohën e lirë po mundohem ta shfrytëzoj për lexim dhe avansim profesional me kurse e certifikime  online. E në mbrëmje kuptohet, Netflix. ” 

Gjini

“Puna në dizajn dhe sidomos si dizajner grafik në princip është një veprimtari apo një aktivitet tek e fundit social. Asgjë s’ka ndryshuar por gjithçka ka ndryshuar. Si një person introvert, kjo mbyllje, shmangie e ngadaltë nga njerëzit, mua duhet t’më pëlqej! Por ja që s’është ashtu. Gjatë kohës kur punoja si freelancer në karrierën time edhe ka pasur raste që s’e kam vërejtur mungesën e një zyreje apo mungesën e kolegëve.

Në punën si dizajner gjithçka mund të luan rol, një “brief” i shkruajtur? Eh, isha apo s’isha në zyre ai “brief” do jetë po njësoj. Por ndonëse një këshillë apo koment nga një kolegë i cili të shpjegon diçka, ka dallim si nata me ditë. Normalisht që më mungon dalja në zyre, afirmiteti me stafin, ecja për në zyre, apo thjeshtë ngjitja në shkallët dërrmuese që të çojnë në katin e 4të. Por më së shumti, rehatia dhe inspirimi që ajo zyre më ofron. ” 

Nita

“Çohna në mëngjes. Bohna gati. Veçse nuk kom me shku në zyre. Kom me punu prej shpisë. Në fillim mu doke çuditshëm, edhe pse për një periudhë dy vjeçare unë vetëm pata punu prej shpisë për Hallakate. Me një anë mu kriju ndjesia që jom kthy në Rotterdam. Por, jo. Nuk kom kriju ndonjë tavolinë enkas ku ulem dhe punoj, përshkak se për mu ma lehtë osht me punu tu u ul e rehatu në ulësen teme të preferume dhe me e qit llaptopin në prehën (e di që nuk osht veprim i mirë ky).

Gjatë ditës jemi në kontakt me kolegët, diskutojmë e folim sene të ndryshme. Normal që edhe dërgojmë memes ose ndonjë video që mendojmë që ka me ju pëlqy. Me klientat, kryejmë punët, detyrat e hulumtojmë për gjëra të ndryshme. Gjatë kohës që po krijoj dizajne apo koncepte, po lexoj detaje të ndryshme për teori të artit të cilat në ditët e sotme kanë peshë e luajnë rol të rëndësishëm. Njena prej tyre që m’ka ra me lexu ka qenë Teoria e Ngjyrës, që Paul Klee ka qenë njëri prej atyre artistëve që ka punu shumë. Si rezultat, këto lexime të ndryshme, teori të ndryshme po e hapin mendjen për krijime të dizajneve që janë më konceptuale, e që gradualisht edhe në masë mund të kenë ndikim edhe më të madh.

Por, mbi të gjitha, nuk është që procesi i punës ka ndërru. Është i njejti, qysh ka qenë para pandemisë. Dallimi i vetëm është 15 min për me shku në zyre.”

Valoni

“Situata e krijuar nga virusi Covid 19, natyrisht që ndikoi edhe tek unë. Gjatë kësaj kohe, në fillim u ballafaqova me dy prioritete të ndryshme. I pari ishte të menaxhoj situatën në shtëpi dhe të sigurohem se familja është mirë dhe prioriteti i dytë ishte menaxhimi i ekipit dhe klientëve. Përditshmëria kryesisht zhvillohej me punë të ndryshme rreth klientëve tanë, kurse gjatë pasditës vazhdova të mbajë trajnimet SMM online. Gjatë mbrëmjeve, përcjellë dokumentarë të ndryshëm në Netflix dhe vazhdoj ta lexoj librin që e kisha filluar qysh para izolimit.”

Fati

Për mua, puna prej shtëpisë ka pas ndikim pozitiv deri tani. Siç e dimë të gjithë, secila kompani e ka filozofinë e saj dhe jetën brenda zyres të krijume prej rregullave të ndryshme që na bëjnë të jemi sa më efikas në punën që bëjmë, qofshin ato takimet e stafit, takimet me klientat, raportimet e ndryshme etj. Në shtëpi, meqenëse nuk kam punu ndonjëherë freelance, sfida është të gjej unë rregullat e mia personale të cilat e nxjerrin më të mirën nga vetja ime. Kështu, ndarë nga takimet që i bëjmë me orar të caktuar gjatë ditës dhe disa punë teknike që duhet bërë për klientat tanë, unë punën kryesore, krijimin e strategjive të ndryshme, zhvillimin e idejave, e bejë në mëngjesin e hershëm nga ora 6 deri në ora 8 – 9 të mëngjesit.

Sfida e radhës ka qenë parashikimi i shprehive online që për të gjithë përdoruesit e rrjeteve sociale po ndryshojnë, meqenëse rrethanat janë të ndryshme nga çdo gjë tjetër që kemi pasë më parë. Si rezultat, varësisht nga qëllimet e klientave tanë eshtë dashtë te ndryshojmë shumë nga objektivat dhe përmbajtja e kampanjave, duke llogaritë që përdoruesit janë në shtëpi tërë kohën dhe duke llogaritë që është e rëndësishme të shohin përmbajtje më pozitive se lajmet e hidhura që po shohin dita ditës e shumë e shumë faktorë të tjerë.

Për kohën tjetër të mbetur për aktivitet e mia personale, jam mundu të kaloj kohë duke e zhvillu vetën në pjesë të ndryshme të marketingut dixhital, andaj trajnimet e ndryshme nga platforma e Google janë një pjesë e rëndësishme e ditës sime, që do ja sugjeroja secilit që ka interes në marketing dixhital t’i eksplorojë sado pak. E për fund seriali Westworld deri tani ka qenë një mënyrë e mirë me e mbyllë ditën.” 

Rrita

“Përshkak të situatës së krijuar si pasojë e virusit Covid 19, edhe ne e vazhduam punën prej shtëpisë. Përpos diskutimeve dhe takimeve fizike me kolegë dhe klientë, nuk është se ka ndryshu shumë procesi i punës. Orari ka mbet i njejtë dhe rrjedhshmëria e detyrave dhe punës është po ajo që ka qenë edhe në zyre. Ndërkaq, komunikimi me kolegë dhe klientë ka pësu ndoshta më së shumti ndryshim gjatë kësaj kohe. Mirëpo, falë programeve të ndryshme për komunikim virtual, shpejtë u adaptuam edhe në këtë aspekt.

Dita fillon me çaj ose kafe (njësoj sikur e kam përgatitë me të arritur në zyre) dhe me renditjen e detyrave që duhet me i përfundu për atë ditë të caktuar. Pastaj, kontaktoj klientët dhe rreth pasditës, mbajmë takim krejt ekipi për të parë se çka është kry e çka jo për atë ditë. Gjatë orarit të punës, përpos detyrave të përditshme, po mundohem të hulumtojë përmbajtje të ndryshme që do të ishte përshtat me shprehitë që gjithnjë e më shumë po ndryshojnë tek përdoruesit online, shprehi këto të cilat sidomos gjatë kësaj kohe krize, kanë marrë një kahje krejt tjetër. 

Në fund të fundit, të jemi të sinqertë, kush nuk ka dëshirë me punu rehat në pizhama? 😛 “

Endrit

Përshtypjet e të punuarit nga shtëpia janë të mira, unë jam i kënaqur që një mundësi e tillë na është dhënë edhe neve në kompaninë tonë, po e them këtë pasi që disa nga miqt e mi nuk e kanë këtë mundësi dhe janë të detyruar të dalin në vendin e punës e që janë shumë të frikësuar dhe të papërqëndruar në punën e tyre për shkak të ekspozimit të mundshëm ndaj virusit. Është normale që nuk është e njejtë sikur punoni në një mjedis të rrethuar nga një komunitet pozitiv siç e kemi ne në kompanië tonë e me të cilët shpesh shkëmbejmë këshilla, ide e mendime të ndryshem, gjë që është pak më vështirë të arrihet gjatë punës nga shtëpia.

Por kjo është një eksperiencë e mirë pasi që po na mëson të bëhemi më fleksibil dhe më proaktiv gjatë orarit të punës.  ” 

Shpërndaje në